Shtypi francez “masakron” Messin: 1 gol në 600 minuta, ky është Topi i Artë?

Vetëm një gol i shënuar në 600 minuta të luajtura. Shumë pak, sidomos nëse quhesh Lionel Messi. Shtypi francez kritikon sërish dhe e ngel në klasë yllin e PSG-së, që edhe dje nuk arriti të shënojë në portën e Nice.

Një ndeshje zhgënjyese, madje e padenjë për një Top të Artë, shkruan “le Parisien” dhe i vendos notën 3, po aq sa edhe vlerësimi i “L’Equipe”.

“Messi ishte më mirë të hënën”, shkruan “L’Equipe” në vlerësimin e lojtarit, që nuk ka marrë notë kaluese në ndeshjen e djeshme (në Francë është 5, nota kaluese).

“Argjentinasi bëri një paraqitje jo të denjë për Topin e Artë. Zhgënjyes në rolin e nëntës false. I izoluar, ashtu siç ka qenë gjithë këto javë. Messi të jep përshtypjen se luan me të njëjtin ritëm, shumë i ngadaltë.

Mbetet një statistikë e veçantë: pas 600 minutash në Ligue 1, Messi ka shënuar vetëm një gol”, shkruajnë të përditshmet franceze në vlerësimin e tyre për ndeshjen që PSG luajti kundër Nice, që përfundoi 0-0. / Oversport.tv