Shuhet Bernard Tapie, presidenti që ngjiti Marseille në majat e futbollit

Ka vdekur në moshën 78-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, Bernard Tapie, ish-ministër i Francës, biznesmen i suksesshëm dhe ish-president i Olympique Marseille.

Gjatë drejtimit të tij, Marseille fitoi katër herë radhazi kampionatin francez nga viti 1989 deri në vitin 1992, një Kupe France në vitin 1989 dhe një Kupë Kampionesh në vitin 1993, pasi e kishte humbur më parë një finale në vitin 1991 në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.

Ai ka meritat kryesore në zbulimin dhe mbështetjen e shumë emrave të njohur të futbollit francez dhe atij botëror, si Jean-Pierre Papin (fituesi i Topit të Artë në vitin 1991), Abedi Pelè (fituesi i Topit të Artë afrikan në vitet 1991, 1992 dhe 1993), Didier Deschamps, Marcel Desailly, Fabien Barthez, Jocelyn Angloma, Franck Sauzee, Enzo Francescoli dhe Chris Waddle

Gjatë viteve që ai ishte presidentii klubit, Marseille u kthye në një superfuqi jo vetën në futbollin francez por edhe në atë Europian. Më pas u akuzua për korrupsion dhe u dënua edhe me dy vite burg.

U rikthye sërish si drejtor sportiv i Marseille në vitin 2001, ndërsa kishte krijuar edhe një ekip çiklizmi “La Vie Claire”, me të cilën Bernard Hinault fitoi edhe Turin e Francës në vitin 1985. /Oversport.tv