Goleadë në “Mapei”, por Sassuolo dhe Cagliari duhet të kënaqen me 1 pikë

Një ndeshje e bukur dhe plot emocione është zhvilluar në stadiumin “Mapei”, aty ku Sassuolo dhe Cagliari kërkonin me çdo kusht që të rigjenin fitoren pas disa rezultateve negative radhazi.

Ndonëse të dyja skuadrat mundohen që të marrin maksimumin e pikëve, në fund detyrohen të kënaqen me nga një pikë, pasi ndeshja përfundon në barazim 2-2.

Vendasit janë më kërkues dhe shfaqen rrezikshëm me Scamaccan dhe Berardin, por sardët mbrohen mirë dhe nuk lejojnë që porta e tyre të preket.

Në stadiumin “Mapei” ndeshja ndizet në minutat e fundit të pjesës së parë. Scamacca kalon në avantazh Sassuolon pas një pasimi të Berardit, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Cagliarit, që barazon shifrat me një supergol të Keita Balde.

Edhe pjesa e dytë nis me ritëm, vendasit fitojnë një penallti, të cilën Berardi e kthen në gol. Por, brenda pak minutave Cagliari përgjigjet në po të njëjtën mënyrë. Sardët fitojnë një penallti dhe Joao Pedro barazon sërish rezultatin nga pika e bardhë.

Sassuolo mundohet që të shënojë golin e fitores, por Cagliari mbrohet mirë dhe portieri Cragno shpëton skuadrën e tij nga pësimi i golit të tretë. Mbyllet në barazim 2-2 një sfidë që të dyja skuadrat donin ta fitonin me çdo kusht.

Sassuolo ngjitet në kuotën e 15 pikëve në tabelën e klasifikimit, ndërsa Cagliari edhe me këtë pikë të fituar në transfertë vazhdon të qëndrojë në vendin e fundit në renditjen e Serie A. /Oversport.tv

Serie A – Java e 13-të

Sassuolo-Cagliari 2-2

Scamacca 37’, Berardi 51’ (pen)/ Keita Balde 40’, Joao Pedro 56’ (pen)