Shumë polemika për 1 pikë, Lille e St Etienne bëjnë paqe

Nuk ka fitues në sfidën midis Lille dhe St Etienne në sfidën hapëse të javës së 28-të të Ligue 1. Të dyja ekipet u përpoqën të zhbllokonin rezultatin, por në asnjë rast nuk ia dolën dot të tregoheshin të qartë përpara portës.

Ndeshja nisi vrullshëm me të dyja ekipet që kërkuar rrugën e rrjetës që në minutat e para. Gabriel Gudmundsson krijoi mjaftueshëm hapësirë në zonë për të gjetur portën, por fatkeqësisht goditja e tij u ndal nga një prej shokëve të tij të skuadrës.

Nga ana tjetër, St Etienne fillimisht pati pretendime për një 11-metërsh pas një ndërhyrje të gabuar në zonë në dëm të Arnaud Nordin, por gjyqtari kërkoi që loja të vazhdonte. Pak minuta më vonë, do të ishin sërisht miqtë që do të shpërdoronin me Ryad Boudebouz, goditja e të cilit shkoi ngjitur me shtyllën.

Edhe Lille i shkoi shumë pranë golit në minutën e 40 me anë të Zeki Celik. Mbrojtësi turk pati një shans të artë shënimi, por goditja e tij nga shumë pranë portës u ndal në shtyllë. Kështu, pjesa e parë u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0.

Edhe në minutat e para të pjesës së dytë, Lille do të rrezikonte e para portën kundërshtare, me anë të Onana, por goditja e tij me kokë shkoi shumë pranë shtyllës.

Megjithatë, në minutat e mbetura ritmi rra ndjeshëm, me të vetmin rast polemizues që u regjistrua në minutën e 85-të. Burak Ylmaz kërkoi një 11-metërsh pas një ndërhyrjeje të gabuar në zonë, por gjyqtari i takimit e konsideroi gjithçka si të rregullt.

Kështu të dyja ekipet u ndanë në një barazimë të bardhë 0-0 duke ndarë nga një pikë. Lille ngjitet kështu në vendin e pestë në kuotën e 43 pikëve, ndërsa nga ana tjetër, St Etienne i vendit të 16-të ka grumbulluar 26 pikë në 28 javë. /oversport.tv

LIGUE 1 – Java 28
Lille – St Etienne 0-0

Foto: Ligue 1 Uber Eats Twitter