Simeone i sinqertë: Milani dominues deri te kartoni i kuq, u zgjuam më pas

Mbrëmjen e djeshme Atletico doli me tre pikë mjaft të rëndësishme nga Milano. Një ndeshje e shoqëruar me polemika dhe kontestime ndaj vendimeve të gjyqtarit turk, Cuneyt Çakır.

Në intervistën pas ndeshjes, Diego Simeone pranoi se Milani ishte superior ndaj tyre dhe admiroi kuqezinjtë për lojën e zhvilluar deri në momentin e kartonit të kuq.

“Ishin të shpejtë dhe tepër dinamik, na vunë në vështirësi. Lojën e tyre e pamë edhe ndaj Liverpool”, theksoi Simeone për Sport Mediaset.

“Pas kartonit të kuq nisi ndeshja për ne. Milani humbi territor dhe çdo gjë mori një rrjedhë tjetër. U zgjuam, ishim të uritur dhe na duhej me të vërtetë kjo fitore”, shtoi

Gjithashtu El Cholo u pyet nëse gjyqtari kishte ndikuar në lojë me vendimet e tij, por edhe për zëvendësimin e Geoffrey Kondogbia, i cili sapo ishte ndëshkuar me karton të verdhë, duke u shfaqur tepër i irrituar.

“Doja ta zëvendësoja Kondogbia, na duhej të sulmonim. Sa për Milanin, e pranoj superioritetin e tyre kur ndeshja ishte 11 kundër 11 . Nuk ka dyshim që ishin më mirë, por në pjesën e dytë ne dhamë gjithçka dhe morëm atë që na duhej, fitoren”. / oversport.tv