Trajneri i Atletico Madrid Diego Simeone ka folur në prag të sfidës me Milanin, të vlefshme për javën e dytë në grupin B në orën 21.00 në “San Siro”.
Barazimi pa gola me Porton dhe humbja e fundit në kampionat me Alaves, nuk kanë lënë shije të mirë për teknikun argjentinas, i cili përballë kuqezinjve synon kthesën dhe 3 pikët e para.
“Duhet të kthehemi të jemi vetvetja”, komentoi Diego Simeone, duke specifikuar se kërkohet kujdes në të dyja fushat.
“Kuqeblutë” kërkojnë rezultat pozitiv dhe për Simeonen në këtë sfidë duhet që lojtarët të jenë më agresivë. “Klima është pozitive, jemi ekspertë dhe kemi karakter. Përballë Milan do jetë ndeshje e rëndësishme”.
Në anën tjetër kuqezinjtë kanë humbur me Liverpool, por trajneri i spanjollëve kërkon kujdes. “Janë ekip dinamik, luajnë mirë dhe arrijnë rezultate. Luajtën përballë një Liverpooli në “Anfield” me një trajner që përcjell ide dhe ju mund ta shihni këtë. Do jetë e vështirë, por mendoj se mund t’i mundim. Do luajmë me qetësi, duke ditur se përballë kemi një skuadër të re, të shpejtë, të pasur në talent dhe që dinë të luajnë vertikalisht”, u shpreh Simeone.
Tekniku pritet të rikuperoj Koken, Lemar dhe Joao Felix. “Të gjithë janë të rëndësishëm, kemi një skuadër shumë të balancuar me hierarki dhe duhet të përshtatemi me atë cfarë ndeshja kërkon të bëjme më të mirën. Kundërshtari na njeh ndaj duhet të bëjmë detyrën.”
Në fund ai u shpreh i lumtur që do kthehet të luajë sërish në San Siro dhe të vizitojë Italinë.