Sirena angleze për Vlahovic, agjenti i tij kërkon ta çojë në Premier League

Të gjithë të çmendur pas Dusan Vlahovicit. Sulmuesi serb nuk do të rinovojë me Fiorentinën, prandaj shumë skuadra të mëdha të kontinentit kanë shfaqur interesin e tyre për të përfituar shërbimet e 21-vjeçarit.

Kontrata e futbollistit me klubin toskan skadon në qershor të vitit 2023, por presidenti Commisso nuk do që ta humbasë me parametër zero, prandaj duket gjithmonë edhe më i mundshëm një largim i sulmuesit në fund të sezonit aktual.

Disa klube angleze janë të interesuara për Vlahovic: Tottenham e ka kërkuar që verën e kaluar, sepse sheh tek serbi zëvendësuesin ideal të Harry Kane, po ashtu edhe Manchester City, që kërkon të ketë alternativa në repartin e avancuar.

Sipas asaj që shkruan “The Sun”, Fiorentinës mund ti vijë një ofertë zyrtare që në janar për sulmuesin. Flitet për rreth 60 milion euro. Futbollisti i pëlqen edhe Juventusit dhe PSG-së, por sipas burimeve britanike, agjenti i lojtarit ka marrëdhënie shumë të mira me emisarët e klubeve të Premier Ligës.

Newcastle dhe Liverpool kanë shfaqur gjithashtu interes për sulmuesin dhe Fiorentina është duke pritur ofertën e duhur, për këtë “xhevahir”, që do të largohet, por të paktën do të sjellë disa para në arkat e klubit. /Oversport.tv