S’ka qetësi në Manchester! Sipas mediave, Ronaldo bullizon Bruno Fernandesin

Manchester United nuk po kalon ditët e tij më të mira. Pas humbjes së thellë 5-0 në shtëpi përballë Liverpoolit dhe me pankinën e Ole Gunnar Solskjaer gjithmonë në dyshim, atmosfera në “Old Trafford” nuk është aspak e mirë.

Momentit negativ i shtohen tashmë edhe kritikat e rënda në drejtim të Cristiano Ronaldos, që akuzohet si përgjegjësi kryesor për rënien e formës së “djajve të kuq” dhe se “bullizon mendërisht” shokun e skuadrës Bruno Fernandes, që ka disa muaj që “nuk është më i njëjti”.

“Gjatë sfidës kundër Leicesterit, Bruno Fernandes hoqi dorë nga përgjegjësitë e tij, kur normalisht nuk duhet të tërhiqej dhe vendosi t’ia kalonte Cristiano Ronaldos”.

Paul Parker, ish-mbrojtësi i Manchester United, nuk ka dyshime dhe në “tabloidet” anglez hedh një akuzë të qartë:

“Mendoj se është manipuluar nga rikthimi i Ronaldos dhe besoj se kjo ka ndikuar shumë tek ai. Lejoi që të bullizohej mendërisht, në vend që të vazhdonte të luante mirë siç ka bërë gjithmonë”. / Oversport.tv