Skandal: Serbët nuk lejojnë boksierët kosovarë të marrin pjesë në Botëror

Një skandal i vërtetë ka ndodhur nga shteti serb që nuk ka lejuar sportistët kosovarë të hyjnë në territorin e tyre. Ekipi kosovar i boksit nuk është lejuar të hyjë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që po zhvillohet në Beograd, Serbi nga 24 tetor deri më 6 nëntor 2021.

Policia serbe nuk ka lejuar hyrjen e tyre në pikën kufitare, duke e kthyer mbrapsht delegacionin e përfaqësueses Kosovare në boks të përbërë nga tre boksierët, Patrit Behrami, Shpëtim e Bashkim Bajoku, trajneri Besim Brahimi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli.Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatën Botërore të Boksit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe ekipi i boksit të Kosovës të niset sërish drejt Beogradit për të garuar i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse në botëror.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i cili bashkohet me shqetësimin e madh të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe dënon ashpër skandalin e ndodhur së fundmi. /oversport.tv