Skandali me plusvalencat: 11 ekipe për Gjykatë, midis tyre dhe Juve e Napoli

Hetimet për abuzimet me plusvalencat kanë marrë tashmë edhe një formë zyrtare. Prokuroria Federale ka akuzuar 11 ekipe italiane për kundravajtje administrative, pasi klubet kanë deklaruar plusvalencat dhe të drejtat për shërbimet e lojtarëve në vlera që tejkalojnë masën e lejuar nga ligji.

Në 11 ekipe bëjnë pjesë edhe dy ekipe të mëdha italiane siç janë, Juventusi e Napoli. Bashkë me to, në gjykatë duhet të paraqiten gjithashtu edhe Sampdoria, Pro Vercelli, Genoa, Parma, Pisa, Empoli, Chievo Verona, Novara dhe Pescara. Gjithçka është bërë publike nga Prokuroria Federale nëpërmjet një komunikate zyrtare.

Përveç 11 klubeve, janë nën akuzë edhe 61 persona të tjera. Midis tyre përfshihen edhe drejtorë klubesh e menaxherë lojtarësh. Kështu në rast se gjithçka vërtetohen ekipet rrezikojnë vërtet shumë. Sipas ligjit, këto shkelje mund të dënohen nga gjobë deri në skualifikim nga kampionati, pra praktikisht largim nga Serie A. /oversport.tv