Carlo Ancelotti mendon se Seria A është një kampionat shumë i ekuilibruar dhe nuk ka një favorit të vetëm. Në intervistën e dhënë për “Radio1”, trajneri i Real Madrid thotë se shumë skuadra do të rivalizojnë me njëra-tjetrën. Ai ka marrë në analizë skuadrat kryesore dhe gjithçka e nis me Interin.
“Inter ka mbajtur të njëjtën strukturë si në vitin e kaluar, edhe pse ka ndryshuar trajnerin dhe disa lojtarë të rëndësishëm. Është një ekip solid, që kundër Realit luajti mjaft mirë dhe na vendosi në vështirësi”, tha Carletto.
Sipas tij, Juventusi ka humbur sigurinë dhe kjo i krijon vështirësi. “Nuk ka më sigurinë e dikurshme dhe vazhdimësinë. Janë gjëra që ndodhin në futboll, por herët a vonë Juventusi do të rikthehet dhe është një nga kandidatet për ta fituar titullin kampion”, tha ai.
Nuk mund të mungonin disa fjalë për ish-skuadrat e tij, Napolin dhe Milanin. “Në Napoli u ndjeva shumë mirë. E di si funksionon futbolli. Gjithçka përfundoi në mënyrën e duhur. Kur nuk ke sintoni me drejtuesit është e mira që të ndahesh. Napoli është skuadër kompetitive, por nuk e di nëse mund të fitojë.
Milani? Jam shumë i lumtur që po rikthehet në nivelet e larta. Brahim Diaz te Reali nuk pati mundësi të tregojë vlerat, por është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe duhet të vazhdojë të luajë. Nuk është te Milani rastësisht, por sepse ne e dimë si po funksionojnë gjërat”, theksoi ai.
Nga Milani i “tij” te Roma e “tij”. “Shpresoj që Roma të fitojë me Mourinhon dhe nuk e di nëse unë do ta drejtoj një ditë. Shpresoj që të qëndroj sa më gjatë te Reali i Madridit”, përfundoi Ancelotti. / oversport.tv