Skënderbeu dhe Dinamo marshojnë drejt Superiores, Flamurtari ndalet në Burrel

Skënderbeu fiton 2-0 sfidën përballë Korabit dhe hedh një hap të madh drejt ngjitjes direkte në elitën e futbollit shqiptar. Korçarët zhbllokojnë menjëherë ndeshjen me Temitope, që tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe kalon në avantazh vendasit. Skënderbeu luan mirë dhe i afrohet edhe golit të dytë në disa raste, por goli i sigurisë vjen në fillimin e pjesës së dytë dhe është sërish Temitope ai që realizon për korçarët. Pavarësisht përpjekjeve të dibranëve rezultati i sfidës nuk ndryshon. Skënderbeu ngjitet në kuotën e 45 pikë (5 më shumë se Flamurtari i vendit të tretë) dhe kur kanë mbetur edhe 3 javë nga përfundimi i kampionatit, rikthimi në Superiore është më pranë se kurrë.

Mjafton një gol i Bardhit në fund të pjesës së parë që Dinamo të marrë një fitore të çmuar përballë Besës. Kryeqytetasit ngjiten në kuotën e 44 pikëve në klasifikim dhe falë hapit fals të Flamurtarit në ndeshjen respektive, hedhin një hap të madh drejt ngjitjes direkte në Superiore.

Zhgënjen Flamurtari që ndalet në një barazim pa gola në transfertë përballë Burrelit. Diferenca me Dinamon e vendit të dytë shkon në 4 pikë dhe tashmë zvogëlohen shanset e vlonjatëve për tu ngjitur direkt në Superiore.

Nuk ka fitues dhe gola në sfidën mes Tomorit dhe Apolonisë. Përfundon në barazim 0-0 përballja në Berat dhe të dyja skuadrat vazhdojnë të besojnë për një vend në Play Off.

Luzi merr një trepikësh të artë në Lezhë përballë Besëlidhjes dhe hedh një hap thuajse të sigurte drejt qëndrimit në Kategorinë e Parë. Lezhjanët duken të dorëzuar dhe tashmë janë të sigurt drejt Kategorisë së Dytë.

Turbina fiton derbin e mbijetesës përballë Orikut, merr tre pikë të arta në transfertë dhe rrit shanset për mbijetesë. / Oversport.tv