Sapo kanë përfunduar 5 takime të javës së 20-të të Kategorisë së Parë, që kanë dhuruar rezultate me të vërtetë interesante. Kryesuesit e Skënderbeut janë ndalur në një barazim pa gola në Lezhë nga Besëlidhja e vendit të fundit dhe kanë humbur një mundësi të mirë për tu shkëputur akoma më shumë të vetëm në krye të renditjes.
Nuk ka fitues në derbin mes Luzit dhe Besës, sfidë që u transmetua live në Oversport dhe Tibo. Mbyllet në barazim 2-2 ndeshja mes fqinjëve, që ndajnë nga një pikë, që nuk u shërben shumë për të arritur objektivat sezonalë.
Korabi fiton 1-0 derbin e veriut përballë Tërbunit dhe ngjitet në kuotën e 32 pikëve në tabelën e klasifikimit, duke mbajtur gjallë shpresat për ngjitjen direkte në elitën e futbollit shqiptar. Një gol i Beshiraj në minutat e fundit të takimit i ka dhënë tre pikë të arta skuadrës dibrane.
Nuk ka fitues në derbin e mbijetesës mes Turbinës dhe Lushnjës. Miqtë kalojnë të parët në avantazh, por cërrikasit barazojnë në kohën shtesë. Tomori mposht minimalisht 1-0 Burrelin dhe ngjitet në zonën e Play Off-it. / Oversport.tv
Kategoria e Parë – Java e 20-të
Luzi-Besa 2-2
Turbina-Lushnja 1-1
Korabi-Tërbuni 1-0
Besëlidhja-Skënderbeu 0-0
Tomori-Burreli 1-0