Skënderbeu përmbys Partizanin dhe fiton Kupën e Pavarësisë në volejboll për femra

Skënderbeu dhe Partizani kanë dhuruar spektakël në finalen e Kupës së Pavarësisë për femra në volejboll, sfidë që është transmetuar live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Vajzat korçare kanë arritur të bëjnë të vetin trofeun, pasi kanë mposhtur me përmbysje 3-1 rivalet kryeqytetase në një sfidë të luftuar dhe të mbushur me emocione.

Seti i parë ka qenë shumë i bukur dhe i luftuar. Partizani e nis mjaft mirë ndeshjen dhe arrin që të shkëputet në fillim, por vajzat korçare reagojnë me kalimin e minutave ngushtojnë diferencën. Por vajzat kryeqytetase arrijnë të ruajnë epërsinë e krijuar në start dhe fitojnë setin e parë me rezultatin 25-23.

Skënderbeu nis më mirë setin e dytë dhe arrin që të shkëputet disa pikë, por Partizani reagon dhe arrin të përmbysë gjithçka duke kaluar në avantazh. Vajzat e kuqe kanë mundësinë të mbyllin setin, por janë korçaret ato që anulojnë një set point dhe fitojnë setin e dytë 26-24, duke barazuar shifrat në 1-1.

Edhe seti i tretë është i bukur dhe i luftuar. Të dyja skuadrat rivalizojnë për çdo pikë, por në fund janë vajzat e korçare ato që fitojnë 25-23 dhe kalojnë në avantazh 2-1 me sete.

Nuk ka shumë histori seti i katërt që fitohet 25-18 nga Skënderbeu, që fiton kështu të gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1.

Në orën 19:00 do të luhet edhe finalja e meshkujve, që rezervon derbin Tirana-Partizani në ekranin e Oversport dhe Tibo. / Oversport.tv