“Balotelli? Ishte një tip pak i çuditshëm”. Këto janë fjalët e Simon Skrabb, që me Supermarion ka luajtur te Brescia. Mesfushori finlandez, tashmë një lojtar i lirë, ka treguar disa prapaskena nga dhoma e zhveshjes, që janë me të vërtetë të pabesueshme.
“Tek Brescia askush nuk fliste anglisht dhe herën e parë përkthyesi im ishte Mario Balotelli. Kujtoj se në fillim gjithçka ishte e pabesushme. Kur shkova në Itali ishte një dimër shumë i bukur, debutova kundër Milanit dhe u kualifikova me Finlandën në kampionatin Europian. Pastaj erdhi Covidi dhe gjithçka ndryshoi”, tregon finlandezi për “Expressen”.
“Direkt mendova se ishte një djalë i mirë. Në fillim ishte si një kapiten për skuadrën. Pastaj erdhi mbyllja dhe u zhduk paksa. Ishte pak i çuditshëm, ndiqte njerëzit me çakmak dhe llak flokësh për tu vënë zjarrin. Nuk e dije kurrë se çfarë do të shpikte”, ka thënë Skrabb për Balotellin. / Oversport.tv