Skuka drejt ëndrrës amerikane, Partizani synon të mbushë arkat që në janar

Paraqitjet e shkëlqyera të Xhuliano Skukës me fanellën e Partizanit nuk kanë kaluar pa u vënë re. Sulmuesi i kuq u grumbullua nga trajneri i kombëtares Edi Reja për miqësoret e nëntorit dhe arriti që të shënojë edhe golin e parë me fanellën kuqezi ndaj Armenisë në “Air Albania”.

Ndeshjet ndërkombëtare janë një vitrinë e shkëlqyer dhe tashmë janë rritur ofertat në drejtim të sulmuesit të Partizanit. Përveç Lecces, Skuka ka përfunduar edhe në radarët e amerikanëve San Jose Earthquakes, skuadër që militon në MLS.

Sipas “Panorama Sport”, oferta për Partizanin është tunduese, një shifër që shkon rreth 1 milionë euro, ndërsa edhe paga që sulmuesi do të përfitojë është shumë më e mirë krahasuar me atë që mund të marrë nga një klub europian.

Partizani dhe Skuka nuk kanë vendosur akoma më lidhje më këtë ofertë, por mundësitë që sulmuesi të largohet që në janar janë me të vërtetë të mëdha. Klubi do të përfitonte një shumë të majme nga shitja e tij, ndërsa lojtari do të provonte një aventurë të re në një kampionat ku aktivizohen shumë yje të futbollit botëror. / Oversport.tv