Skuka i bashkohet kombëtares: Një surprizë e bukur nga Reja, gjyqtari nuk e pa në VAR penalltinë e dytë

Protagonisti i ndeshjes, Xhuliano Skuka ka folur për Oversport pas fitores përballë Bylisit. Sulmuesi sapo ka marrë ftesën nga trajneri Edi Reja për t’iu bashkuar skuadrës kombëtare për sfidat miqësore kundër Italisë dhe Armenisë.

“Jam shumë i kënaqur. Më bëri një surprizë të bukur trajneri Reja. Nuk është hera e parë që shënoj gola të tillë (i dyti). Është hera e dytë për Partizanin në këtë pozicion, por e kam bërë edhe më parë te Korabi dhe Dinamo.

Penalltia? Më tha Hoti le ta gjuaj unë, por i thashë që këtë do ta gjuaj unë, ti gjuaj të dytën. Në rastin e dytë kishte kontakt dhe unë nuk rashë kot. Gjyqtari më tha që do ta shoh në VAR, por nuk e pa. Do të kisha shënuar 3 gola dhe do të kisha marrë topin në shtëpi. Më shumë më mërziti fakti që nuk e pa në VAR.

Rivalitet me Xhixhën për lojtarin e muajit? Kemi vendosur që të shënojmë sa më shumë gola, nuk kemi bërë asnjë marrëveshje (qesh). I uroj Xhixhës sa më shumë gola. Me ndihmën e zotit, ishalla shënoj edhe në skuadrën kombëtare”, ka thënë Skuka. / Oversport.tv