Smalling: Kalojmë Torinon dhe pastaj mendojmë për Feyenoord! Duam trofeun

Chris Smalling, qendërmbrojtësi i Romës, ka folur për UEFA-n për finalen e Conference League kundër Feyenoord, por ai ka kërkuar që fillimisht fokusi të jetë te ndeshja e kampionatit kundër Torinos.

“Ne jemi gati. Jemi përgatitur që në fillim të sezonit për të arritur ku jemi tani dhe do të bëjmë gjithçka për ta fituar. Të them të drejtën nuk e kemi studiuar ende Feyenoord, pasi kemi një tjetër ndeshje përpara.

Pas duelit me Torinon vëmendja do të jetë te finalja dhe holandezët. Ne do t’i studiojmë ata si ekip dhe lojtarët individualisht, për t’i njohur sa më shumë”, është shprehur fillimisht mbrojtësi anglez, Smalling.

Në lidhje me garën në Serie A, ai më pas shtoi: “Ishte një kampionat shumë i ekuilibruar, me shumë skuadra që luftonin me njëra-tjetrën. Në disa momente kishim një paraqitje të rregullt.

Në disa momente të tjera lamë pikë pa kuptim rrugës dhe kjo na kushtoi në garën për vendin e katërt. Tani duhet ta përfundojmë sezonin fuqishëm dhe të nisim sezonin e tjetër për të garuar për vendet e para”. / oversport.tv

Foto: AS Roma, Twitter