“Sot kemi luajtur vetëm ne”, Longo: Meritonim më shumë, të ardhmen e ka në dorë presidenti

Ka vetëm zhgënjim te trajneri i Flamurtarit pas humbjes në finalen e “Play Off”-it përballë Korabit. Shpresa për një vend në elitën e futbollit shqiptar për Diego Longon dhe të tijët ndërpritet këtu dhe pas ndeshjes tekniku i vlonjatëve nuk e fshehu aspak zhgënjimin.

“Kemi parë një ndeshje ku kemi luajtur vetëm ne. Përjashtijmë bëjnë vetëm dy goditje standarde ku kemi pësuar. Pjesën tjetër të ndeshjes kemi luajtur vetëm ne, por kur nuk ia del dot të realizosh, ndodh edhe kështu dhe ne këmi paguar këtë gjë në këtë ndeshje”.

E ARDHMJA- “Fillimisht duhet të marrë fund kjo ëndërr që e kishim të gjithë. Ne e kishim vetë në dorë fatin tonë. Është shumë shpejt për të folur për të ardhmen, pasi fillimisht duhet të ulemi dhe të vendosim se çfarë do të ndodhë dhe si do të vazhdojmë. Më pas do të marrim një vendim për të ardhmen.

Duhet të qetësohemi fillimisht dhe më pas klubi e vendos se çfarë do të bëjmë sezonin e ardhshëm. Nuk është koha të marr unë vendime, por klubi. Mendoj se Flamurtari është një skuadër e madhe që futet vetëm për të fituar, dhe mund të bëjë gjëra të mëdha.”

SITUATA PAS NDESHJES- “Mund ta imagjinoni edhe vetë si mund të jetë situata pas ndeshjes. E them me bindje të plotë se meritonim shumë më shumë nga sa kemi marë në ndeshjet e fundit. Dua të falenderoj të gjithë për çfarë kemi bërë këto kohë. Jam i mendimin që kemi merituar shumë më shumë, por ky është futbolli dhe gjëra të tilla ndodhin”, përfundoi Longo. /oversport.tv