Sot luhen ndeshjet e para “play off”, e gjithë vëmendja tek Italia e Portugalia

Do të luhen sot ndeshjet e para të “play off” për një vend midis 32 më të mirëve në Kupën e Botës “Qatar 2022”. Të githa sfidat do të startojnë në orën 20:45. Janë dy sfida ato që spikatin më shumë në këto ndeshje me Italinë që do të ndeshet përballë Maqedonisë së Veriut dhe Portugalinë që do të përballet me Turqinë.

Për sa i përket ekipit të Mancinit, Italia vjen si favorite përballë Maqedonisë së Veriut dhe për më tepër si kampionia e Europës në fuqi. Të kaltrit janë të detyruar të fitojnë, pasi një skualifikim i mundshëm do t’i mbante ata për të dytën herë radhazi jashtë Kupës së Botës.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut kërkon të bëjë historinë dhe në një ndeshje të tillë gjithçka mund të ndodhë. Dëshira për të surprizuar Italinë është e madhe dhe gjithçka mbetet për t’u parë në fushën e lojës.

Edhe Portugalia është e detyruar të fitojë, ndërsa përballë ka Turqinë që ka treguar në shumë raste se nuk është një “kafshatë e lehtë”. Në ekipin e tij, tekniku Santos do të ketë disa mungesa të rëndësishme siç janë, Pepe e Joao Cancelo.

Turqia sakaq ka treguar karakter dhe pavarësisht emrave jo shumë të mëdhenj në skuadër në krahasim me Portugalinë, mund të jetë një surprizë e bukur në këtë ndeshje.

Fituesi i sfidave Itali-Maqedoni e Veriut dhe Portugali-Turqi do të ndeshen më pas së bashku në finale për të vendosur edhe ekipin që do të shkojë në “Qatar 2022”.

Një tjetër sfidë është Suedi-Republika Çeke me të dyja ekipet që nisen si të barabartë në këtë takim. Skuadrat kanë bërë mirë kohët e fundit dhe kërkojnë që të vazhdojnë ecurinë e tyre drejt ëndrrës për një vend në Kupën e Botës.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupimi, Polonia do të kalojë automatikisht në finale pasi duhej të ndeshej me Rusinë, e skualifikuar për shkak të luftës. Për rrjedhojë, fituesi i sfidës Suedi-Çeki do të ndeshet në finale me Poloninë për një vend në “Qatar 22”.

Uells-Austri do të jetë një tjetër gjysmëfinale në këtë fazë “play off”, sërish me dy ekipe që i kanë shanset e barabarta për të kaluar në fazën tjetër e më pas në Kupën e Botës. Megjithatë, fituesi i kësaj sfide do të duhet të presë për të zbuluar ekipin me të cilin do të ndeshet në finale. Kjo, pasi dueli tjetër midis Skocisë dhe Ukrainës është shtyrë për shkak të pushtimit rus. /oversport.tv

Foto: FIGC Federazione Italiana Giuoco Calcio, Facebook