Sot mbyllet java e 10-të e Serie A në Oversport, Napoli synon të rimarrë kreun

Java e 10-të e Serie A do të mbyllet me sfidën Napoli-Bologna që do të luhet sot në mbrëmje në orën 20:45 në stadiumin “Maradona” dhe do të transmetohet Live në kanalin Oversport 1.

Pas tetë fitoreve radhazi në kampionat, të besuarit e Spallettit u ndalën në një barazim pa gola në “Olimpico” përballë Romës në fundjavë. Napoli kërkon të rikthehet tek fitorja në sfidën e sotme kundër Bolognas, që të rikthehet në krye të renditjes së Serie A.

Trajneri Spalletti pritet që të bëjë disa ndryshime të vogla në formacion, për të alternuar dhe ruajtur forcat e skuadrës, pasi kalendari është shumë i ngjeshur në këtë periudhë. Të dëmtuarit  Manolas, Malcuit dhe Ounas do të mungojnë edhe në sfidën e sotme.

Bologna kërkon të harrojë humbjen përballë kryesuesve të Milanit, duke synuar një rezultat pozitiv në transfertën e sotme në Napoli. Mihajlovic nuk do të ketë në dispozicion të skualifikuarit Soumaoro dhe Soriano, që morën karton të kuq në sfidën e  kaluar kundër kuqezinjve.

Formacionet e mundshme:

Napoli: (4-3-3): Ospina; Di Lorenzo, Rrahmani, Koulibaly, Mario Rui; Anguissa, Fabian Ruiz, Zielinski; Politano, Osimhen, L. Insigne.

Bologna (3-5-2): Skorupski; De Silvestri, Medel, Theate; Skov Olsen, Dominguez, Schouten, Svanberg, Hickey; Barrow, Orsolini.