Pas humbjes përballë Atalantës, Luciano Spalletti doli përpara mediave pavarësisht skualifikimit, që e detyroi që të shihte ndeshjen nga tribuna.
“Më shqetëson kjo humbje, por skuadra zhvilloi një ndeshje të bukur. Atalanta fitoi përballë një skuadre të vërtetë, jemi një grup i besueshëm. Të vjen keq, sepse mund të bënin më mirë në disa detaje dhe kishim raste të ndryshme për të shënuar gol.
Kishte dyshime se nuk do të ishim në lartësinë e duhur, por treguam që ishim aty. Në sjelljen e skuadrës në fushë gjen shumë gjëra të drejta dhe të duhura. Në 10 minutat e fundit skuadra meritonte të shënonte gol. I kam përgëzuar djemtë për paraqitjen ndaj Atalantës”, ka thënë trajneri i Napolit.
“Humbëm sepse ata janë një klub i fortë dhe një skuadër solide. Duhen përgëzuar për mënyrën sesi po e çojnë përpara projektin e klubit dhe për lojtarët që zbulojnë dhe i shesin, falë cilësisë së futbollit që prodhojnë. Dinë të bëjnë gjithçka. Janë të fuqishëm dhe kanë teknikë”, ka përfunduar Spalletti, duke i bërë elozhe kundërshtarit. / Oversport.tv