Luciano Spalletti është i lumtur dhe krenar për skuadrën e Napolit që mori kreun e klasifikimit. Trajneri toskan thotë se ekipi i tij mund të shkojë larg, por duhet që të kalojë edhe pengesa të mëdha që do të dalin rrugës.
NDESHJA – “Më pëlqeu prezantimi i skuadrës, mënyra si qëndroi në fushw dhe personaliteti. Gjatë gjithë ndeshjes provuam t’i bënim gjërat në mënyrë korrekte. Në 20 minuta krijuam shumë rrezik në portën kundërshtare, por po luanim nga i njëjti krah dhe nuk gjenim dot rrugën e duhur.
Pastaj e shpërndamë lojën në mënyrë korrekte. Duhet patjetër edhe ndonjë shkëndijë si ajo e Insignes, apo goli i Lozanos dhe personaliteti i Koulibaly”.
E ARDHMJA – “Duhet të shohim se ku mund të arrijmë me këtë futboll që po bëjmë. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë pengesa përpara. Gjithsesi është e vërtetë që ekipi ka shumë kualitet. Na mungon diçka, por grupi është kompetitiv. Ka shumë skuadra të forta. Milani ka dy vite që bën të njëjtin futboll, ndërsa Interi ka futbollistë të fortë”.
OSIMHEN – “Di të bëjë gjithçka. I mungon pak teknikë në hapësira të ngushta, por nëse luan në hapësirë të madhe nuk mund të ndalet”, tha mes të tjerash trajneri i Napolit, Luciano Spalleti. / oversport.tv