Spalletti: Ndalesa shërben për t’u përmirësuar, ndaj Udineses do të jetë e vështirë

Prova e radhës për Napolin përpara ndalesës për shkak të Kupës së Botës quhet Udinese. Të besuarit e Luciano Spallettit kërkojnë fitoren e 11-të radhazi në Serie A dhe ta mbyllin këtë pjesë të sezonit të pamposhtur në kampionat. Në prag të kësaj sfide ka dhënë konferencën për shtyp trajneri Luciano Spalletti i cili beson se gjatë ndalesës Napoli do të forcohet më shumë për të ardhmen.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Udinese konsiderohet një ekip i dorës së dytë, por ka mposhtur 1-0 Fiorentinën, 4-0 Romën, 3-1 Interin dhe Sassuolon dhe ka barazuar përballë Atalantës dhe Lazios. Ka njerëz që e konsiderojnë një sfidë të lehtë, por lojtarët e mi nuk e besojnë diçka të tillë.”

NDALESA- “Me Udinesen do të mbyllet cikli i parë. Më pas do të jenë edhe dy të tjerë sepse jemi vetëm në një të tretat e kampionatit. Kjo ndalesë do të na shërbejë për t’u përmirësuar edhe më shumë. Koha që do të kemi duhet të shfrytëzohet në mënyrën e duhur.”

KREU- “Për ne nuk ndryshon asgjë nga fakti që jemi +8 nga Milani dhe Lazio. Në nivel profesional ne i kemi të qartë objektivat ditorë dhe javorë.”

TITULLI KAMPION- “Mungojnë ende edhe 72 pikë deri në fundin e kampionatit. Ajo që ka shumë rëndësi është të stërvitemi mirë ditë pas dite”, tha ndër të tjera Spalleti në konferencën për shtyp. /oversport.tv