Spalletti: Ndeshje vendimtare kundër Legias, duam vetëm fitoren

Luciano Spalletti ka folur në prag të ndeshjes kundër Legias në Europa League, i vetëdijshëm se sfida me polakët është vendimtare për të ardhmen e Napolit në këtë kompeticion, pasi aktualisht ka vetëm një pikë në grupin C.

“Është një ndeshje vendimtare, nëse nuk fitojmë do të jetë shumë e vështirë që të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë kompeticion. Jemi fokusuar maksimalisht tek kjo sfidë. Organika na lejon, pasi kemi lojtarë të një niveli të lartë, që të mund të vazhdojmë rrugën në këtë turne”, ka thënë tekniku i Napolit.

“Nuk mund të flas për rotacion, pasi është fyese. Unë flas për të kaluar turin, që është diçka tjetër. Organika na e lejon, pasi në fillim të kampionatit luanin Meret, Manolas dhe Lobotka, derisa u dëmtuan.

Kush luan tani nuk është prej rotacionit, janë thjesht lojtarë të tjerë titullarë”, ka thënë Spalletti, që ka lënë të kuptohet se Mertens dhe Demme mund ta nisin nga minuta e parë sfidën kundër Legias së Varshavës.

Mario Rui është i skualifikuar, ndërsa Ghoulam është jashtë listës së europës, prandaj Juan Jesus mund të luajë si titullar në të majtë të mbrojtjes:

“Mund të luajë edhe në atë rol. Do të shohim formën e tij dhe do të vendosim. Kështu zgjidhet formacioni kur do të fitosh dhe ne duam të fitojmë ndeshjen e nesërme”, ka përfunduar Spalletti. / Oversport.tv