Spalletti: Një ndeshje që vlen shumë, lojtarët e Interit më vlerësojnë

“Ndeshje vendimtare për titullin? Duhet të theksoj gjithmonë se objektivi i vënë është renditja mes 4 skuadrave të para të Serie A, por e dimë se nëse fitojmë këtë ndeshje mund të shkojmë drejt një tjetër objektivi.

Është një situatë e bukur dhe kemi kaluar javën duke menduar për këtë takim. Është kjo situatë që duam të përjetojmë”, ka thënë në prag të ndeshjes kundër Interit, që do të luhet të shtunën në orën 18:00 në stadiumin “Maradona” dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Oversport, trajneri i Napolit, Luciano Spalletti.

“Do të luajë Koulibaly? Është një lojtar i rëndësishëm, por më duket mungesë respekti për atë që ka luajtur dhe duhet ti lëshojë vendin. Nesër do tu them formacionin”, ka shtuar tekniku.

“Diferenca mes Interit dhe Napolit? Ata janë favoritët e mëdhenj, janë shumë të fortë, kampionët në fuqi. Do të jenë të nxehur pas derbit, sepse janë një skuadër që urren të humbasë. Ne i respekojmë, por nuk e ndryshojmë sjelljen tonë.

Skuadrës i kam thënë se duhet të luajnë me Venezian sikur të kenë përballë Interin, tani duhet të luajmë me Interin sikur të kemi përballë Venezian. Mund të humbasim, por nuk mund të tradhtojmë sjelljen tonë.

Duam të tregojmë se e meritojmë mbështetjen e njerëzve. Nuk na thonë kot Napoli. Në gjithçka që bëjmë duhet të jemi mbi nivelin mesatar”, ka thënë Spalletti.

“Një hakmarrje personale kundër Interit? Unë nuk kam, shoh punën time. Duhet të jem me fat të gjej lojtarë që mendojnë si unë dhe falë tyre bëj figurë të mirë.

Karrierat varen nga këto ndeshje, duam të fitojmë por nuk është hakmarrje. Aty kam lënë lojtarë që e di që më vlerësojnë shumë”, ka përfunduar trajneri i Napolit. / Oversport.tv