Spalletti shijon suksesin e parë në Europë: Më mirë se kaq nuk mund të bënim

Luciano Spalletti i gëzohet fitores së parë në Europë si trajner i Napolit: “Ndeshja ishte e vështirë dhe ngaqë nuk po arrinim ta zhbllokonim, rrezikonim të humbisnim durimin. Duhet të vazhdonim të komandonim ndeshjen dhe të kishim durim, duke shpresuar në më shumë fat në gjuajtjet në portë dhe në fund rezultoi kështu.

Kur ke shumë lojtarë në repartin e avancuar, ashtu si ne, mund të gjesh zgjidhje të ndryshme. Kur ke në fushë Insigne dhe Mertens, që mbështesin Osimhen është më e lehtë të gjesh zgjidhjen e duhur.

Pastaj nëse ke lojtarë që sakrifikohen si Elmas dhe Politano, gjithçka është më e lehtë. Nëse mund të përmirësohej diçka? Sot ishte e vështirë që të bëjë më mirë se kaq”.

Tekniku toskan ka folur edhe për shpirtin e grupit dhe dëshirën për tu sakrifikuar të lojtarëve të tij: “Kjo varet nga inteligjenca e lojtarëve. Nuk ka fitore të skuadrës, nëse secili mendon për rezultatet personale.

Në fund të vitit, rezultatet ndahen në mënyrë të barabartë, këtë duhet ta kuptojnë vetë dhe nëse nuk e bëjnë, ndonjëherë duhet t’ua kujtosh”. /Oversport.tv