Spalletti “tërbohet”: Ç’i keni këto, pse s’na intereson Europa League?!

Napoli është gati për ndeshjen kundër Legias së Varshavës në Poloni, edhe pse trajneri Luciano Spalletti ka lënë lojtarë të rëndësishëm si Osimhen, Insigne, Fabian Ruiz dhe Mario Rui pushim.

Tekniku italian para mediave tha: “Nuk kemi një skuadër të dobësuar, por një grup që na lejon të zëvendësojmë disa lojtarë që kanë luajtur në mënyrë konstante. Kemi ardhur në Poloni për të fituar”.

“Europa League është një kompeticion që na intereson. E dimë se është e vështirë, por jemi këtu për fitore. Nuk ka të bëjë me Europa League në krahasim me Serie A, pasi Insigne as në kampionat nuk e nisi titullar. Ai ka një problem muskulor.

Lamë në shtëpi ata lojtarë që mund të rrezikonin dëmtimet nëse luanin. Të kesh më shumë lojtarë dhe pesë zëvendësime është e rëndësishme, pasi na lejon të aktivizojmë shumë lojtarë dhe të shmangim dëmtimet”.

“Pse nuk duhet të na interesojë Europa League? Unë luftoj për ta kuptuar këtë sjellje. U dërgoj sinjale lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë për shkak të dëmtimeve, sikurse Demme për shembull.

Të luash me këta lojtarë do të thotë se nuk do të fitosh?! Kjo do të ishte joprofesionale. Meret do të luajë nesër, por ai luan sepse është po aq i mirë sa Spina dhe jo se ndeshja për ne nuk ka rëndësi”, ka përfunduar Spalleti. / oversport.tv