Spalletti: Tifozët të më presin mirë, tek titulli i Interit kam kontributin tim

Luciano Spalletti kthehet në “San Siro” për herë të parë si kundërshtar i Interit. Tekniku i Napolit pret një pritje të ndryshme nga ajo që iu rezervua në Romë.

“Shpresoj që të mos më fishkëllejnë, nuk ka ndonjë arsye pse ta bëjnë. Në fund të fundit diçka të mirë kam bërë edhe unë aty. Po, kampionatin e fitoi Conte. I bëj komplimentet e mia, por ndonjë tullë në atë grup e vendosa edhe unë, nuk besoj se e kanë harruar”, ka thënë Spalletti për “Corriere dello Sport”.

Në prag të ndeshjes së madhe të “Meazzas”, Spalletti nuk harron të kaluarën dhe pretendon disa merita në rritjen e Interit, madje edhe në fitoren e titullit që mban firmën e Contes.

Këto pak fjalë konfirmojnë sigurinë që ka për kontributin e dhënë në projektin zikaltër dhe mban gjallë shpresat se ka mbetur pak në zemrat e tifozëve të Interit, pasi riktheu klubin në Champions League.

Një punë, që përfundoi pa ndonjë sukses në “La Scalan” e futbollit, por gjithsesi pozitive sipas trajnerit aktual të Napolit, që të dielën në “San Siro” pret duartrokitje dhe jo fishkëllima. / Oversport.tv