Spalletti: Treguam pjekuri, Juventusi një nga ekipet më të mira

Luciano Spalletti mori sinjale pozitive në javën e 17-të nga Napoli i tij i cili hodhi pas krahëve humbjen kundër Interit dhe mposhti Sampdorian me rezultatin 2-0. Pas sfidës tekniku i Napolit u shfaq i lumtur dhe i kënaqur nga skuadra e tij duke thurur elozhe për lojtarët e tij.

“Ne nuk duhet të vërtetojmë asgjë. Ne thjesht duhet të fitojmë ndeshjet duke vlerësuar situatat që krijohen dhe duke i menaxhuar në mënyrën e duhur.

Mund të ishte kthyer një sfidë e komplikuar nga situatat që ndodhën, sidomos pas penalltisë së humbur. Megjithatë, e përdorëm mirë mendjen tonë dhe treguam pjekuri në menaxhimin e lojës.”

NDESHJA NDAJ INTERIT- “Ne do të shohim edhe njëherë pamjet. Kam shtatë bashkëpuntorë me të cilët do shoh lojën dhe do të flasim. Në ndeshjen ndaj Interit duhet të bënim më shumë.

Ata janë të mirë, por ne duhet të përdorim kualitetet tona. Duhet të jepnim maksimumin, ata u treguan më të mirë dhe fituan. Ndonjëherë thuhet se impenjimi e mposht kualitetin, por vetëm nëse kualiteti nuk impenjohet.”

NDESHJA E ARDHSHME NDAJ JUVENTUSIT- “Është një sfidë e rëndësishme, por jo vendimtare. Do të luajmë kundër një prej ekipeve më të forta dhe do të shohim çfarë do të ndodhë.” /oversport.tv