Spalletti ul euforinë: Mos na hipi vetja në qejf, me Spartakun e vështirë

Në Itali, Napoli i tij i sheh të gjitha skuadrat nga maja e renditjes së Serie A, por Luciano Spalletti nuk kërkon shpërqëndrim në prag të sfidës së Europa League kundër Spartak Moscow.

“Nuk duhet të tregohemi mëndjemëdhenj. Do të zbresim në fushë për të fituar një ndeshje të vështirë. Ky kompeticion është shumë i rëndësishëm për ne. Jemi në një grup me skuadra shumë të mira. Kemi një organikë të pasur lojtarësh, prandaj do të bëj disa ndryshime në formacion”, ka thënë tekniku “axurr”.

Edhe kapiteni Lorenzo Insigne kërkon që të mos nënvlerësohen rusët. “E kemi studiuar mirë Spartakun, nuk na pret një ndeshje e lehtë. Deri tani kemi zhvilluar ndeshje të mëdha, por për të fituar duhet një skuadër dhe jo vetëm individët.

Rruga është akoma shumë e gjatë, prandaj duhet të qëndrojmë të përqëndruar dhe me këmbë në tokë”, ka thënë sulmuesi, që në lidhje me rinovimin e kontratës me Napolin ka shtuar:

“Kam akoma edhe një vit kontratë. Jam i qetë dhe mendoj vetëm për të luajtur në fushën e blertë”. / Oversport.tv