Spanja shkakton tërmet shtatë ballë në sfidën e parë, nuk tregon mëshirë për Kosta Rikën

Spanja bën një debutim “ëndrrash” në Kupën e Botës së Katarit dhe shkakton një “tërmet shtatë ballësh” që në sfidën e parë me Kosta Rikën. Iberikët triumfuan me rezultatin e thellë 7-0, në një sfidë ku të besuarit e Luis Enrique kontrolluan në çdo moment takimin dhe zhvilluan një lojë që tregon se janë në një formë mjaft të mirë.

Sfida nis menjëherë mirë për Spanjën që realizon pas 11 minutash lojë me anë të Olmo. Më pas është Asensio që dyfishon gjithçka, përpara se Ferran Torres të realizonte me një 11-metërsh golin e tretë të takimit. Në shifrat 3-0 mbyllet edhe pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Spanja nuk e ul ritmin, por vazhdon të  luftojë fuqishëm për të realizuar gola të tjerë.

Ferran Torres realizon edhe golin që plotëson pokerin për Spanjën, por plotëson edhe dygolëshin e tij personal në këtë takim. Më pas është Gavi që e feston rekordin si lojtari më i ri që debuton me Spanjën në një Botëror me gol, duke i çuar shifrat në 5-0.

Spanja nuk tregon mëshirë dhe realizon gjithashtu edhe dy gola të tjerë. Carlos Soler shënon golin e gjashtë për iberikët, ndërsa goli i shtatë vjen nga Alvaro Morata. Spanja e nis kështu këtë Kupë Bote me një festival golash duke treguar se është një kandidate serioze për titullin kampion. Në grupin E, Spanja kryeson me tre pikë, po aq sa Japonia, ndërsa Kosta Rika dhe Gjermania mbajnë dy vendet e tjera me zero pikë. /oversport.tv

Foto: Selección Española de Fútbol, Twitter