SPECIALE/ Nga A te ZH, zbuloni alfabetin e Superiores

Java e 15-të uli siparin e “Abissnet Superiore” për këtë vit kalendarik mes spektaklit, surprizave dhe shumë emocioneve si në shakllët e stadiumeve ashtu edhe në ekranin e Oversport. Tashmë është koha për pushime dhe festë, pasi elita e futbollit shqiptar do të kthehet sërish në Oversport më 14-janar.

Një kampionat me shumë ngjyra, ndërsa Oversport sjell edhe një alfabet që i është dedikuar ngjarjeve që kanë lënë shenjë në këtë gjysmë-sezoni deri më tani në “Abissnet Superiore.

A- Si “Abissnet Superiore” që po luan Edicionin e 84-t të historisë. Një kampionat interesant, me rivalitet dhe i paparashikueshëm.

B- Si Buxhelaj. Zbulimi i sezonit në skuadrën e Partizanit. Trajneri Kolela i dha besim dhe 19-vjeçari ia ka shpërblyer më së miri.

C- Cara. Sulmuesi i kuq ka realizuar një nga supergolat e këtij kampionati dhe po konfirmohet nga ndeshja në ndeshje.

Ç- si Çela. Ish-trajneri i Kastriotit që dha dorëheqjen pas humbjes që skuadra e tij pësoi kundër Tiranës. Një nga 7 trajnerët e larguar në këtë kampionat.

D- si Derbi. Ndeshjet mes Tiranës dhe Partizanit kanë dhuruar spektakël në “Air Albania”. Rreth 30 mijë tifozë të pranishëm në 2 ndeshje. Një fitore bardheblutë. Një fitore të kuqtë.

DH- si Dhuratat. Trajnerët janë duke pritur afrime nga merkato e janarit për të përmirësuar skuadrat e tyre. Presidentët duhet të hapin thesin.

E- si Erzeni dhe Egnatia. Surprizat më të bukura të kampionatit deri tani. Futboll cilësor, rezultate pozitive dhe vazhdimësi për të ëndërruar Europën.

Ë- si Ëndrra. E bërë realitet për shumë futbollistë të Superiores që luajtën me Kombëtaren por erdhe ëndrrat për objektivat sezonalë.

F- si Florent Hasani. Sa herë shënon ai, Tirana i fiton ndeshjet. Katër gola dhe 4 fitore. Në kampin bardheblu, shpresojnë që ta gjejë rrugën e rrjetës më shpesh.

G- si Gentjan Mezani. Ish-analisti i “Ti bo gol” mori drejtimin e kurbinasve duke marrë 2 fitore radhazi për ta kthyer në rrugën e duhur drejt Europës.

Gj- si Gjelbrim Taipi. Shënoi një supergol kundër Laçit në javën e fundit duke rikthyer Kukësin te fitorja. Është kapiteni dhe lideri i skuadrës.

H- si Herald Marku. Golashënuesi më i mirë i Vllaznisë deri tani. Ka gjetur rrugën e rrjetës 4 herë edhe pse Josa e pranoi që ka luajtur jashtë rolit të tij.

I- si Interesimi i lartë që kanë disa skuadra jashtë vendit për futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar.

J- si Josa. Trajneri më i titulluar në historinë e futbollit shqiptar ka si objektiv të riktheje te trofeu i munguar Vllazninë. Objektiv i vështirë, por jo i pamundur.

K- si Kahrimanovic. Një mesfushor që i ka mahnitur të gjithë në këtë sezon. Shënon, asiston dhe sakrifikohet. Erzeni është me fat që e ka në skuadër.

L- si Liridon Latifi. Mungesa e madhe e Vllaznisë këtë sezon. Dëmtimi e ka lënë jashtë fushave për një kohë të gjatë. Viti 2023 mund të jetë i tiji.

LL- si llogaritë. Kampionati është futur në një fazë vendimtare dhe çdo skuadër bën llogaritë për të arritur objektivin.

M- si Marsel Ismajlgeci. Kapiteni i Tiranës që luan në shumë role dhe sakrifikohet për të mirën e skuadrës së tij. Ngriti Superkupën, tani kërkon edhe kampionatin.

N- si Nonato. Edhe ai një zbulim i këtij sezoni. 5 gola të shënuar me Erzenin duke udhëhequr ekipin drejt sukseseve.

NJ- si Njëmbëdhjetë golat e shënuar nga Redon Xhixha që është golashënuesi më i mirë i sezonit deri tani. Vetëm 3 gola larg rekordit të tij personal.

O- si Oversport. Transmetuesi zyrtar i futbollit shqiptar. Platforma që ka të drejtën edhe të Serisë A, kampionatit skocez dhe Kupës së Mbretit në Spanjë.

P- si Partizani- Skuadra që udhëheq kampionatin deri në këto momente me një diferencë të shkurtër ndaj Tiranës falë edhe punës së Kolelës.

Q- si Qirko. Një nga pikat më të forta të Teutës këtë vit. Këtë sezon nuk ka shkëlqyer vetëm ai portier në kampionat. Edhe të tjerët kanë pasur momente fantastike.

R- Ruçi. Mesfushori i Bylisit shënoi një gol kundër Egnatias vetëm pak ditë pasi humbi vëllanë. Gjeti forcë për të kapërcyer dhimbjen dhe riktheu basllshiotët te fitorja.

RR- si Rrjetat e tundura 147 herë në këtë sezon të Superiores. Afërsisht dy gola për ndeshje.

S- si Sinani (Vioresin).  Goleadori i kampionatit shqiptar, rekordmen i Superiores që aktualisht është zëvendëstrajneri i Vllaznisë.

SH- si Shehi, trajneri kampion në fuqi që do të kërkojë sërish me Tiranën e tij të ruajë fronin e Superiores.

T- si Tibo. Partneri teknologjik i Oversport për transmetimin e ndeshjeve të këtij kampionati.

TH- si Thierno Tiub. Një prej shumë të huajve që janë pjesë e kampionatit shqiptar. Në total aktivizohen 89 futbollistë.

U- si Urimi i sinqertë që redaksia e Oversport ka për gjithë familjen e madhe sportive, por edhe për të gjithë shqiptarët në këto festa të fundvitit.

V- si Vila. Lorenco dhe Emiliano. I pari që spikat për talentin e tij dhe i dyti për eksperiencën. Sytë e durrsakëve janë drejtuar nga ata në këtë sezon delikat.

X- si Xeni i Tiranës. Kështu e thërrasin miqtë fizioterapistin dhe anëtarin e stafit mjekësor të klubit bardheblu. I dha ndihmën e parë Qefalias në dëmtimin e rëndë që pati në Rrogozhinë.

XH- si Xhuliano Skuka, një nga lojtarët që ka spikatur këtë sezon. 10 gola të shënuar, debutim dhe gol me kombëtaren shqiptare.

Y- si Ylli Shameti. Zëvendëstrajner i Kukësit që është aty për të dhënë kontributin dhe eksperiencën e tij për skuadrën.

Z- si Zejnullai. Një nga liderët e skuadrës së Egnatias në këtë sezon. Goli që i shënoi Partizanit ishte i jashtëzakonshëm.

ZH- si Zhvillimi që ka pasur infrastruktura e futbollit shqiptar në vitet e fundit. /GENTJAN ALINANI