Spektakël i Fiorentinës, fitore tenistike përballë një Genoa “të fikur”

Fiorentina reagon menjëherë pas humbjes që pësoi përballë Torinos javën e kaluar në kampionat. Skuadra “vjollcë” ka shpartalluar Genoan në ndeshjen mbyllëse të javës së 22-të të Serie A, duke arritur një fitore tenistike 6-0.

Një festival golash kanë shijuar shikuesit e Oversport dhe Tibo në një sfidë që nuk ka patur histori. Vendasit kanë shënuar nga 3 gola për çdo pjesë loje dhe kanë arritur një fitore të merituar, që i ngjit në vendin e 6-të në renditje.

Genoa nuk ka qenë për asnjë moment në lojë, duke konfirmuar se po kalon një moment shumë të vështirë. Largimi i Shevchenkos nuk ka zgjidhur asgjë dhe tashmë mbijetesa mes më të mirave të Italisë bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Fiorentina dominon që nga minuta e parë sfidën në stadiumin “Franchi”. Saponara fiton një penallti, por Vlahovic gabon nga pika e bardhë. Nuk vonon avantazhi i skuadrës vendase dhe pak minuta më vonë është Odriozola, ai që hap serinë e golave.

Genoa nuk reagon, duket e paqartë dhe pa ide. Bonaventura shënon edhe golin e dytë, ndërsa Biraghi shënon golin e tretë me një goditje dënimi spektakolare.

Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën tablo. Është radha e bomberit Vlahovic, që të lërë shenjën e tij në këtë sfidë, duke shënuar golin e radhës për Fiorentinën. Biraghi shënon një tjetër supergol nga një goditje dënimi, duke realizuar një dygolësh në këtë takim.

Edhe Torreira shënon emrin e tij në listën e golashënuesve, duke vulosur këtë fitore tenistike të Fiorentinës. Një mbrëmje për tu harruar për Genoan, pasi lojtarët kuqeblu vetëm sa shëtitën fanellën në fushën e “Franchit”. / Oversport.tv

Itali-Serie A – Java e 22-të

Fiorentina-Genoa 6-0

Odriozola 15’, Bonaventura 34’, Biraghi 42’, 69’, Vlahovic 51’, Torreira 77’