Spektakël në Formula 1, Max Verstappen kampion bote

Është Max Verstappen kampioni i botës në Formula 1 për vitin 2021, pasi parakaloi në xhiron e fundit shtatë herë kampionin e botës, Lewis Hamilton.

Ka qenë një garë fantastike kjo e sotmja me shumë polemika dhe shumë emocion, me skuadrën e Red Bull që bëri strategjinë perfekte bazuar edhe në kushtet e kësaj gare.

Kur dukej si një fitore e sigurt e Hamilton, Latifi u përplas në një duel me Schumacher dhe detyroi Safety Car të hynte në pistë gjashtë xhiro nga fundi. Verstappen ndërroi gomat, ndryshe nga Hamilton dhe në xhiron e fundit parakaloi Hamilton dhe u shpall kampion bote.

Ndërkohë, në vendin më të ulët në podium u ngjit piloti i Ferrarit, Carlos Sainz, i ndjekur nga Yuki Tsunoda dhe Pierre Gasly. Vetëm vendi i gjashtë për pilotin tjetër të Mercedes, Valtteri Bottas. Top 10 u mbyll me Norris, Alonso, Ocon dhe piloti tjetër i Ferrarit, Leclerc. /oversport.tv