Spektakël në Ligën Unike, Golden Eagle Ylli triumfon në derbin me Pejën

Një ndeshje e jashtëzakonshme u zhvillua ndërmjet Pejës dhe Golden Eagle Yllit, duke vërtetuar epitetin e derbit. Në fund fitoi skuadra therandase me rezultatin 87:90 (22:20, 27:18, 22:20, 16:32), në kuadër të xhiros së nëntë të Ligës Unike.

Perioda e parë i ndeshjes ishte e barabartë, ku epërsia më e lartë, u takoi mysafirëve 10:16, por më pas kjo epërsi u ul dhe pejanët arrijnë që këtë pjesë ta fitojnë me dy pikë dallim, 22:20. Vendasit vazhduan me lojë shumë të mirë në periodën e dytë, për të arritur epërsinë më të lartë në ndeshje 16 pikë, 42:26, dhe e kontrolluan lojë deri në fund të pjesës së parë, që përfundoi 49:38.

Mysafirët e ndienin mungesën e Erjon Kastratit të lënduar. Perioda e tretë u karakterizua si e barabartë, me kampionët që tentuan të rikthehen, por ‘humbën’ edhe dy lojtarë, Ardit Pepaj dhe Aj Sumbry, që u ndëshkuan me pesë gabime personale.

Në këtë pjesë vendasit ruajtën epërsinë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 71:58. Në fillim të periodës së fundit, për shkak të lëndimit u largua Stephen Maxëell, ndërsa therandasit bënë rikthim të madh dhe të pabesueshëm. Ata arritën që të shkrijnë epërsinë në 72:71, ku u dallua ish-basketbollisti i Pejës, Henrik Sirko.

Ai shkëlqeu në këtë pjesë, i ndihmuar nga Gëzim Morina, ndërsa tre minuta nga fundi, kaluan në epërsi 80:81. Ata, madje e ngritën epërsinë në 83:88, megjithatë, vendasit shënojnë katër pikë shpejt për 87:88, kurse pikët e fundit i shënoi Leon Neziri për rezultatin 87:90.

Gjuajtja e fundit e Dardan Berishës për tri pikë ishte e pasaktë dhe Ylli triumfoi në derbin e Ligës Unike. Te Peja u dallua Stephen Maxwell me 32 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Henrik Sirko me 24 pikë e 11 kërcime dhe Gëzim Morina me 22 pikë e tetë kërcime. Peja ka gjashtë fitore dhe tri humbje, kurse Golden Eagle Ylli ka tetë fitore dhe një humbje. / Liga Unike