Spektakël pa fitues në “Etihad”, mbetet e hapur gara për titull në Premier

Ka spektakël, ka gola, por nuk ka fitues në supersfidën e kësaj jave në Premier League. Manchester City dhe Liverpool barazojnë 2-2 në një ndeshje plot emocione dhe ruajnë të pandryshuar situatën në tabelën e klasifikimit.

Barazimi i sotëm favorizon paksa skuadrën e Guardiolës, por gara për titull nuk ka përfunduar akoma sepse ka edhe 7 ndeshje për tu luajtur. Një ndeshje shumë e bukur është zhvilluar në “Etihad”, por asnjëra nga skuadrat nuk ka arritur që të marrë suksesin.

Në “Etihad” luhet për kreun e Premier League, pasi përballë janë Manchester City dhe Liverpool që i ndan vetëm një pikë në tabelën e klasifikimit.

Supersfida e kampionatit anglez nis menjëherë me ritëm dhe djemtë e Guardiolës rrezikojnë të parët me Sterling. Goli nuk vonon dhe De Bruyne kalon në avantazh vendasit. Liverpool kundërpërgjigjet menjëherë dhe barazon shifrat me Diogo Jota. Janë luajtur vetëm 8 minuta lojë dhe rezultati është 1-1. Ashtu siç pritej, spektakli në këtë sfidë është i garantuar.

City luan më mirë dhe i afrohet golit të avantazhit sërish me Kevin De Bruyne, por gjuajtja e belgut përfundon jashtë. Mendon Gabriel Jesus që të rikthejë në avantazh skuadrën e Guardiolës, duke shënuar golin e dytë për “citizens”.

Ritmi është i lartë dhe pjesa e dytë nis me gol. Është Sadio Mane ai që rikthen ekuilibrat, duke çuar topin në rrjetë pas një pasimi të saktë të Mohamed Salah.

“Të kuqtë” i afrohen përmbysjes së madhe, por Ederson tregon vlerat e tij dhe i mohon golin e avantazhit Jotas. Loja është e bukur dhe plot ritëm e raste. Gabriel Jesus provon, por gjuajtja e tij nuk shkon në rrjetë. Shënon Raheem Sterling golin e tretë për City, por ndërhyn VAR dhe goli anulohet për një pozicion jashtë loje.

Riyad Mahrez krijon iluzionin e golit pas një goditjeje standarde, por perla e tij përfundon ngjitur me shtyllën. Sërish Mahrez në kohën shtesë, nuk arrin që të kalojë në avantazh skuadrën e tij.

Mbyllet pa fitues një ndeshje shumë e bukur. City ruan kreun, por gara për titullin kampion në Premier është akoma e hapur. / Oversport.tv

Foto: Liverpool FC Twitter