Spikat sfida Brazil-Uruguai, Argjentina synon një tjetër sukses përballë Perusë

Skuadrat e Amerikës Latine do të zbresin në fushën e blertë për të zhvilluar ndeshjet e fundit të këtij muaji, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022.

Ndeshja më e rëndësishme e ditës së sotme është sfida Brazil-Uruguai. Një përballje mes rivalësh të vjetër në kontinentin amerikano-jugor, që sot synojnë suksesin që ti afrohen akoma më shumë kualifikimit në fazën finale të Botërorit. Brazili qëndron i shkëputur në krye të grupit me 28 pikë, ndërsa Uruguai mban vendin e katërt në kuotën e 16 pikëve.

Argjentina e vendit të dytë, do të presë në shtëpi Perunë, në një sfidë që të paktën në letër, duket e lehtë për Messin me shokë. Kili do të luajë kundër Venezuelës së vendit të fundit, ndërsa Bolivia do të përballet me Paraguajin.

Mjaft interesante është edhe përballja Kolumbi-Ekuador, pasi të dyja këto skuadra synojnë një vend në fazën finale të Kupës së Botës. Vendasit, që aktualisht janë në vendin e 5-të, kërkojnë maksimumin në këtë sfidë direkte, që të ngjiten në zonën që të kualifikon direkt.

Ekuadorianët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në këtë fushatë kualifikuese (renditen të tretët në kuotën e 16 pikëve) dhe synojnë që të ruajnë pozitat aktuale në tabelën e klasifikimit. /Oversport.tv