Spikatën në kampionat, Bushi fton te Shqipëria U21 dy lojtarë të Kukësit

Shqipëria U21 ka në program dy ndeshje në muajin tetor dhe nesër pritet që trajneri Alban Bushi të dalë para mediave dhe të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar. Dy prej tyre i ka zbuluar Kukësi, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për portierin Angelo Tafas dhe anësorin e djathtë, Ergys Peposhi. Për këtë të fundit është hera e parë që merr ftesë nga Shqipëria U21, edhe pse trajneri Bushi e njeh mirë që nga ekipet e moshave kur spikaste tek Akademia e Futbollit.

“Portieri Angelo Tafas dhe mesfushori Ergys Peposhi janë dy futbollistët e ftuar nga trajneri Alban Bushi, për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar U21.

Dy futbollistët kanë bindur me paraqitjet e tyre në 3 javët e para të kampionatit teksa ishin protagonistë edhe sezonin e fundit me ekipin tonë, duke u bërë në këtë mënyrë pjesë e Kombëtares shqiptare U21.

Për mesfushorin Peposhi kjo është hera e parë që grumbullohet me ekipin U21, por më parë është grumbulluar me Shqipërinë U20 teksa Tafas ishte pjesë e Kombëtares edhe sezonin e shkuar. 

Shqipëria U21 ka dy ndeshje zyrtare për eliminatoret e Europianit ndaj Andorrës në datën 7 tetor dhe ndaj Sllovenisë më 11 tetor. Klubi i Kukësit i uron suksese dy futbollistëve të ekipit tonë dhe fitore Kombëtares kuqezi”, shkruhet në njoftimin e Kukësit. / oversport.tv