Spinazzola: Kam rifilluar të eci mirë, ndihem si një luan

Leonardo Spinazzola, i ftuar se bashku me gruan dhe dy fëmijët në emisionin “Verissimo”, ka folur për emocionet që përjetoi pas fitimit të Kampionatit Europian këtë verë, sidomos kur shokët e morën dhe e lanë që të merrte i pari medaljen e Euro 2020:

“Kur mora medaljen isha shumë i emocionuar. Ishte një gjest shumë i bukur i Chiellinit dhe Bonuçit, si dhe i gjithë skuadrës, që përfitoj nga rasti t’i falenderoj sërish. Më thanë se e meritoja. Ato ditë kam përjetuar emocione të pafunda”.

Pyetjes se çfarë ndjeu kur pësoi atë dëmtim të rëndë në tendinën e Akilit, në çerekfinalen kundër Belgjikës, mbrojtësi i Romës i përgjigjet:

“Pas 20 minutash bëra një telefonatë me video me familjen nga dhomat e zhveshjes dhe menjëherë mu rikthye buzëqeshja, ndonëse ata e kishin fytyrën të mbushur me lot.

Është pjesë e lojës, unë shoh përpara dhe gëzoj ato që kam. Kjo periudhë pushimi më ka mbushur me forcë dhe me ka rritur shumë. Tani ndihem si një luan”.

Më e keqja ka kaluar dhe tashmë Spinazzola sheh fundin e këtij kalvari: “Tani jam mirë. Ky do të jetë muaji më i rëndësishëm. Patericat kam 4 javë që i kam hequr dhe tani po rifilloj që të eci mirë”, ka përfunduar mbrojtësi i Romës dhe kombëtares italiane. / Oversport.tv