Napoli do të përballet me Juventusin në stadiumin “Maradona” të shtunën në orën 18.00, një sfidë që do të transmetohet Live në Oversport 1.
Rikthehet përballja mes dy trajnerëve të mëdhenj si Luciano Spalletti dhe Max Allegri, që kishin 2 vite që nuk takoheshin në fushën e blertë.
Ja disa statistika dhe kuriozitete për këtë sfidë të madhe të futbollit italian:
Në 76 ndeshje të zhvilluar në Napoli, mes Serie A dhe Serie B, vendasit kanë fituar 25 herë, kanë humbur 23 takime dhe kanë barazuar 28 herë. “Axurrët” kanë shënuar 93 gola, ndërsa bardhezinjtë 88 gola.
Vetëm një barazim ka dhuruar kjo përballje në 16 sfidat e fundit, atë 1-1 të prillit të 2017-ës.
Irrati do të arbitrojë këtë takim. Në ndeshjet e gjykuara nga ai, Napoli ka arritur 9 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Ndërsa Juventusi ka koleksionuar 9 fitore, 2 barazime dhe një humbje me këtë arbitër.
Lorenzo Insigne do të luajë ndeshjen e 400 në karrierë me fanellën e Napolit këtë të shtunë, vetëm Mertens (520 ndeshje), Bruscolotti (511) dhe Juliano (505) kanë luajtur më shumë se ai me “axurrët”.
Spalletti mund të bëhet trajneri i dytë i Napolit që fiton 3 ndeshjet e para të Serie A. Trajneri i parë është Benitez që ka fituar 4 ndeshjet e para në vitin 2013.
Hera e fundit që Juventusi nuk ka arritur asnjë fitore në tre javët e para të kampionatit është në sezonin 2015-2016: 2 humbje dhe një barazim.
Megjithëse ka qëndruar një kohë të gjatë pushim, statistikat thonë se Allegri nuk ka fituar asnjë nga 7 ndeshjet e fundit të zhvilluara në kampionat: 4 barazime dhe 3 humbje. /Oversport.tv