Statistikat flasin qartë në një drejtim, por derbi mbetet i paparashikueshëm

Do të luhet sot në orën 18:00 në stadiumin “Grande Torino” derbi mes Torinos dhe Juventusit.

Një sfidë emocionuese mes dy rivalëve historikë të qytetit. Polemika, përmbysje rezultati në minutat e fundit dhe festime të ekzagjeruara kanë dhuruar sfidat e mëparshme mes dy skuadrave, prandaj sot në Oversport 1 spektakli është i garantuar.

Derbi i sotëm i Torinos do të jetë ndeshja e 203-të zyrtare mes dy skuadrave dhe përballja e 153-të në Serie A.

“Derbi della Mole” është një sfidë që nuk ka patur shumë histori në vitet e fundit, pasi bilanci ka anuar dukshëm në favor të skuadrës së Juventusit.

Në 152 takime të luajtura në Serie A, bardhezinjtë kanë fituar 73 ndeshje, Torino 35 takime, ndërsa 44 sfida janë mbyllur në barazim. 236 gola ka shënuar në këto përballje “zonja e vjetër”, ndërsa 155 janë golat e shënuar nga skuadra “granata”.

Në vitet e fundit dominimi i Juventusit ka qënë i dukshëm, sepse suksesi i fundit i Torinos në derbi ka ndodhur në 26 prill të vitit 2015, një fitore 2-1 e firmosur nga Darmian dhe Quagliarella. Pas kësaj sfide, në 13 takime të luajtura ka patur vetëm fitore të Juventusit apo barazime.

Juventusi ka humbur vetëm një herë, në 30 ndeshjet e fundit në Serie A, që ka luajtur kundër Torinos, duke marrë 22 fitore dhe 7 barazime.

Torino është skuadra që ka barazuar më shumë ndeshje në Serie A në vitin kalendarik 2021, plot 13 ndeshje.

Juventusi i ka humbur 2 ndeshjet e fundit që ka luajtur ditën e shtunë. Asnjëherë në historinë e saj, “zonja e vjetër” nuk ka humbur tre ndeshje radhazi në këtë ditë të javës. /Oversport.tv