Statistikat flasin për Interin, por Sarri ka një bilanc pozitiv përballë zikaltërve

Rikthehet Serie A në Oversport, me supersfidën Lazio-Inter, që do të luhet në stadiumin “Olimpico” të shtunën në orën 18:00.

Precedentët mes Lazios dhe Interit

156 takime kanë luajtur dy skuadrat në kampionat: 65 ndeshje janë fituar nga Interi, 37 nga Lazio, ndërsa 54 sfida kanë përfunduar në barazim. Edhe bilanci i 10 takimeve të fundit anon nga zikaltërit, që kanë arritur 6 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.

Interi ka shënuar në të katërta sfidat e fundit që ka luajtur kundër Lazios në Serie A. Nëse shënon edhe nesër, ai do të jetë goli i 250-të që zikaltërit shënojnë në portën e Lazios.

Rezultati 1-1 është ai më frekuent mes këtyre dy skuadrave në kampionat, pasi në 29 raste sfida mes dy formacioneve ka përfunduar barazim 1-1.

Sfidat në “Olimpico”  

Pas një serie prej 4 fitoreve radhazi në shtëpi kundër Interit, Lazio ka fituar vetëm 2 nga 7 ndeshjet e fundit shtëpiake që ka luajtur kundër zikaltërve në Serie A. Në 78 përballje në “Olimpico”, Lazio ka fituar 27 ndeshje, Interi 22, ndërsa 29 takime kanë përfunduar në barazim. Interi ka fituar 4 nga 7 ndeshjet e fundit që ka luajtur në kryeqytet kundër Lazios.

Lojtarët në fokus

Në këtë sfidë luajnë tre golashënuesit më të mirë të kampionatit: Edin Dzeko, Ciro Immobile dhe Lautaro Martínez. Në 2 nga 4 sezonet e fundit të Serie A, golashënuesi ka qënë pjesë e Lazios ose Interit.

Disa lojtarë aktualë të zikaltërve kanë veshur më parë fanellën e bardhekaltërve: Aleksandar Kolarov ka luajtur 82 ndeshje në Serie A me Lazion, Stefan de Vrij 95 ndeshje, Correa 92 ndeshje, ndërsa Samir Handanovic ka luajtur një ndeshje në sezonin 2005/2006.

Trajnerët

Që kur fitorja vlen tre pikë, trajneri aktual i zikaltërve Simone Inzaghi është trajneri me më shumë ndeshje në Serie A me Lazion (197) dhe renditet vetëm pas Sven-Göran Eriksson, për mesataren e pikëve për ndeshje.

Maurizio Sarri ka fituar 5 nga 10 ndeshjet që ka luajtur kundër Interit. Trajneri aktual i bardhekaltërve është i pamposhtur në 6 sfidat e fundit që ka luajtur kundër zikaltërve. /Oversport.tv