Statistikat i kanë kundër, por Interi dhe Inzaghi shpresojnë te faktori “San Siro”

Të dielën në mbrëmje në ekranin e Oversport vjen superndeshja Inter-Juventus. Një klasike e futbollit italian, që vë përballë dy rivalë historikë.

240 janë ndeshjet zyrtare mes dy skuadrave në të gjitha kompeticionet: Juventusi ka fituar 110 takime, Interi 71, ndërsa 59 sfida janë mbyllur në barazim. 343 gola kanë shënuar bardhezinjtë, ndërsa 293 herë kanë shënuar zikaltërit.

Në Serie A Interi dhe Juventusi janë ndeshur 176 herë. Edhe në kampionat duket qartë dominimi i bardhezinjve, që kanë fituar 85 takime, Interi ka arritur 47 fitore, ndërsa 44 ndeshje kanë përfunduar në barazim. 254 janë golat e shënuar nga Juventusi, ndërsa 205 golat e skuadrës zikaltër.

Në “San Siro” janë zhvilluar 88 takime mes këtyre dy rivalëve. 24 fitore ka arritur Juventusi (e fundit në 06.10.2019), 36 fitore ka korrur Interi (e fundit në 17.01.2021), ndërsa 28 takime kanë përfunduar në barazim (i fundit në 27.04.2019). 98 gola ka shënuar Juventusi në Milano, ndërsa 137 gola ka shënuar Interi.

Interi ka fituar ndeshjen e fundit që ka luajtur në shtëpi kundër Juventusit, por nuk ka mundur që të arrijë dy fitore radhazi në Serie A, që nga viti 2010.

Juventusi është skuadra kundër së cilës trajneri Simone Inzaghi ka humbur më shumë në kampionat (8 herë). Trajneri i zikaltërve ka humbur të treja ndeshjet shtëpiake që ka luajtur kundër Massimiliano Allegrit në Serie A.

Inter-Juventus është një sfidë mes skuadrës që ka shënuar më shumë në pjesën e dytë në këtë kampionat (Interi, 14 gola) dhe asaj që ka shënuar më pak (Juventusi, 4 gola)./Oversport.tv