Sterling “sinjale” largimi: Do doja të provoja një aventurë të re

Është lojtari që ka luajtur më shumë nën drejtimin e Guardiolës, por në fund të sezonit të kaluar dhe në fillim të këtij aktual, gjërat kanë ndryshuar dhe Raheem Sterling nuk është më zgjedhja e parë e teknikut të Manchester City.

“Nëse do të ekzistonte mundësia që të shkoja tek një klub tjetër, do të isha shumë i hapur ndaj kësaj mundësie tani. Si lojtar anglez, gjithçka që njoh është Premier Liga dhe gjithmonë kam menduar se një ditë do të më pëlqente të luaja jashtë shtetit dhe të shikoja se si do të mund të përballoja një sfidë të re. Nuk jam një person që ankohem, prandaj nuk e kam bërë këtë çështje më të madhe seç është”, ka thënë sulmuesi anglez.

Pasi shënoi 30 gola në 51 ndeshje të luajtura në sezonin 2018/2020, sulmuesi ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm 14 herë sezonin e kaluar, ndërsa në sezonin aktual ka luajtur vetëm 2 ndeshje në Premier league.

Barcelona është një nga skuadrat e interesuara për sulmuesin anglez, por deklarata e fundit e Sterling ka zgjuar interesin e shumë klubeve që do të donin shërbimet e lojtarit të talentuar. / Oversport.tv