Sulm atomik, Inter dominon Serie A edhe pa Lukakun

Mbrojtje e ristrukturuar dhe sulm atomik. Interi i Inzaghit nuk është aspak për t’u nënvlerësuar, pavarësisht se në renditjen aktuale ka shtatë pikë më pak sesa Milani e Napoli.

Mirëpo, me gjithë formën aktuale fantastike të dy kryesueseve, nëse krahasohen shifrat e një viti kalendarik, kampionët në fuqi të Serie A, dominojnë Italinë, sidomos me forcën sulmuese.

Për t’u nënvizuar është fakti se me gjithë largimin e Lukakut, zikaltrit kanë të njëjtën forcë goditëse, referuar golave. Për krahasim në pesë kampionatet më elitare, vetëm Bayern (94)  dhe Manchester City (84) kanë shënuar më tepër sesa Inter (83 gola), nga janari deri më tani.

Për golat, nuk ka ndryshuar asgjë që nga largimi i Contes te Inzaghi. Këtë e tregon fakti që Inter shënon prej 30 ndeshjesh radhazi. Kjo e bën Interin momentalisht sulmin më të mirë në Itali, me 28 gola (3 më shumë sesa Milan dhe 5 më tepër sesa Napoli). Në 35 ndeshje të zhvilluara nga janari deri më tani, zikaltrit nuk kanë shënuar vetëm një ndeshje atë në Udine më 23 janar duke përfunduar barazim 0-0.

Pjesa tjetër, në fillim me “LuLa” dhe tanimë me një tjetër bashkim emrash “DzeLa” Interi shënon me të njëjtën mesatare prej 2.37 golash për ndeshje. Deri para pak muajsh ishte meritë e Lukakut dhe Lautaros që e mbyllën kampionatin me titullin kampion duke realizuar 41 gola, si dyshja e dytë me e fortë në pesë kampionatet europiane. /Oversport.tv