Sulmi ndaj Hamraoui: Abidal në polici, dyshohet një lidhje me lojtaren e PSG

Ish-mbrojtësi i Francës dhe Barcelonës, Eric Abidal është marrë në pyetje nga policia, që po heton sulmin ndaj lojtares së skuadrës së femrave të PSG-së, Kheira Hamraoui.

31-vjeçarja u sulmua në 4 nëntor kur po kthehej në shtëpi me makinë me shoqen e skuadrës Aminata Diallo. 2 persona të maskuar ndaluan makinën dhe e goditën Hamraoui me shkopinj.

Sipas asaj që shkruan “Le Monde”, agresorët bërtitën “të pëlqen të flesh me burra të martuar” gjatë sulmit. Diallo u arrestua javën e kaluar, si e dyshuar për organizimin e sulmit ndaj Hamraoui, një rivale direkte për një vend titullari në skuadër.

Por tani lajmet nga Franca flasin për një përfshirje të mundshme të Abidalit në këtë çështje. “Le Monde” pretendon se sulmi mund të ketë lidhje me një marrëdhënie të pretenduar mes Hamraoui dhe Abidal.

Ditën pas sulmit futbollistja mori në telefon ish-mbrojtësin, ndërsa hetuesit kanë zbuluar se telefoni i saj është i regjistruar në emrin e Abidalit.

42-vjeçari është i martuar me Hayet Abidal që nga viti 2003 dhe çifti ka 5 fëmijë. Sipas gazetës edhe gruaja e Abidalit do të merret në pyetje si dëshmitare. /Oversport.tv