Super League dhe Kupa e Botës çdo dy vite, Parlamenti Europian del kundër

Parlamenti Europian ka dalë kundër Super League. Pas propozimit të eurodeputetit Tomasz Frankowski, i cili ka qenë futbollist i kombëtares së Polonisë, Parlamenti Europian miratoi me shumicë votash një rezolutë që mbron futbollin nga krijimi i garave të shkëputura si Super League.

UEFA e ka mirëpritur këtë veprim të Parlamentit Europian. Ky i fundit ka dalë edhe kundër zhvillimit të Kupës së Botë çdo dy vite, propozim ky i FIFA-s që ka hasur në kundërshtimin e UEFA dhe të kampionateve kryesore në Europë.

Në lidhje më këtë foli edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin: “Mesazhi i Parlamentit Europian është i qartë: Europa dhe europianët janë kundër projekteve përçarëve, sepse kërcënojnë vlerat e sportit europian.

Futbolli nuk është një treg i krijuar për përfitime financiare të elitës, por për të përfituar shoqëria në përgjithësi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me BE për të forcuar dhe mbrojtur modelin europian të futbollit dhe sportin tonë”.

Nga ana tjetër, Super League që mbahet ende gjallë nga Real Madrid, Juventus dhe Barcelona ka reaguar duke thënë se propozimi i tyre, Super League, nuk është konceptuar kurrë si një ligë më vete, por si një ligë ku do merrnin pjesë klube nga kampionatet kombëtare. Më tej ne reagim thuhet se qëllimi i Super League është mbrojtja e futbollit europian. / oversport.tv