Superiore, java që lamë pas / Partizani ndjen presionin e Tiranës, Teuta largohet nga fundi

Kanë përfunduar ndeshjet e javës së 16-të të kampionatit shqiptar të futbollit, që kanë dhuruar rezultate shumë interesante. Kjo javë ka folur për Tiranën dhe Vllazninë, që kanë marrë fitore të rëndësishme në transfertë respektivisht përballë Laçit dhe Partizanit.

Është ngjeshur kreu i renditjes dhe tashmë diferenca mes Partizanit kryesues dhe rivalëve të Tiranës është vetëm një pikë. Egnatia dhe Vllaznia ndajnë podiumin me 25 pikë secila. Gara për titullin kampion është më e hapur se kurrë.

Zhvillime interesante ka pasur edhe në zonën e ulët të renditjes. Teuta mposht Kastriotin dhe i largohet vendit të fundit në renditje, duke komplikuar jo pak pozitat e krutanëve. Bylisi me Kukësin ndajnë nga një pikë, që nuk i shërben shumë për pozicionin që kanë në renditje.

Ndërsa derbi i surprizave, mes Egnatias dhe Erzenit përfundon në barazim dhe të dyja skuadrat ruajnë pozitat në zonën e lartë të renditjes. / Oversport.tv