Superiorja në Oversport dhe Tibo: Në Ballsh dhe në Durrës luhen dy sfida vendimtare

Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga përfundimi, kampionati shqiptar është më interesant se kurrë më parë, pasi ka garë në të gjitha frontet. Është e hapur lufta për titullin kampion, janë të shumta skuadrat që pretendojnë një vend në Kupat e Europës, ndërsa gara për mbijetesë është një rebus I vërtetë.

Dy ndeshje shumë interesante të javës së 31-të të Abissnet Superiore do të vijnë sot live në Oversport dhe Tibo. Bylisi do të presë në “Adush Muça” Laçin, në një sfidë shumë të rëndësishme për fatin e të dy skuadrave. Vendasit kërkojnë pikë të arta, që të largohen nga zona e ftohtë dhe të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë. Miqtë, që duket se kanë lënë pas krahëve momentin e vështirë, synojnë një rezultat pozitiv që ti afrohen akoma më shumë zonës që të çon në Europë.

Në orën 18:00 në “Niko Dovana”, luhet një tjetër përballje shumë interesante. Erzeni kërkon të dalë nga kriza e rezultateve (5 javë pa fitore) në sfidën ndaj Partizanit. Shijakasit kanë filluar të ndiejnë presionin e zonës së ftohtë dhe synojnë pikët e qetësisë. Në krahun tjetër qëndrojnë kryeqytetasit, që e dinë mjaft mirë se në këtë sfidë ndalohen gabimet, sepse çdo rezultat përveç fitores do të zvogëlonte shanset për titull. Aktualisht diferenca me Tiranën kryesuese është 5 pikë dhe “demat” shpresojnë që të rikuperojnë këtë disavantazh në këto 6 javë të mbetura. /Oversport.tv